16-vjetorin e përfshirjes së iso-polifonisë në UNESCO, në Gjirokastër, e festuam me organizime të veçanta, për promovimin e traditës dhe kulturës popullore. Përgjatë aktiviteteve prezantuam vlerat e folklorit, etnografisë, traditës, veshjeve popullore të trashëguara në breza duke apeluar për domosdoshmërinë e mbajtjes gjallë dhe përçimit të tyre tek të rinjtë. Emocionues dhe me vlera artistike ishte Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Iso-Polifonisë, të cilin e organizuam në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale. 250 artistë popullorë, pjesëmarrës në festival nga hapësira mbarëshqiptare, shpalosën vlerat më të arira të folkut ndërsa u vlerësua dhe kontributi në vite i mbartësve të spikatur të iso-polifonisë. Vlerat e traditës popullore janë një aset i paçmuar kombëtar por edhe një pikë e fortë për zhvillimin e turizmit në Gjirokastër.