E vendosur në Shqipërinë jugore, Gjirokastra qëndron në shpatet e pjerrëta të luginës së lumit Drino, në një pozicion mbisundues mbi një peizazh të pasur me histori, kufijtë e të cilit përvijohen nga maja malesh të larta. Ky është “qyteti i një mijë shkallëve” që përfshin qindra shtëpi- kullë të tipit otoman me çatitë dalluese të gurta, ballkonet e drunjta dhe muret e gurta, herë- herë të zbardhura me gëlqere. E mbisunduar nga ana e vet prej kalasë madhështore që ngrihet mbi një kodër të thiktë, Gjirokastra është një qytet magjik me një të shkuar të trazuar. 

Gjatë gjithë historisë së saj, Gjirokastra ka qënë një qendër e rëndësishme administrative, ekonomike e kulturore dhe pikë referente e përpjekje për emancipim kulturor dhe pavarësi për krejt botën shqiptare. Në rrjedhën e shekujve, qyteti përjetoi transfomime të imponuara, nga bastion i feudalizmit, në xhevahir otoman, nga qendër e rezistencës për indipendencë dhe në pikë e rëndësishme për pushtuesit fashistë italianë. Në kronikën e këtij qyteti janë regjistruar shumë sundimtarë e invadorë (pushtues); njëkohësisht ai ka frymëzuar shumë poetë, shkrimtarë dhe artistë. Qyteti me popullsi 40 000 banorë, është sot qendra më e madhe kulturore, akademike, ekonomike e administrative e rajonit jugor, si qendër e qarkut me të të njëjtin emër. Njihet si vendlindja e tre personaliteteve me peshë në historinë e Shqipërisë: ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, gjuhëtarit dhe albanologut Eqrem Çabej dhe shkrimtarit të madh Ismail Kadare. 

Lagjet tradicionale shtrihen në formë rrezesh rreth kalasë me emrat: Cfakë, Dunavat, Manalat, Palorto, Varosh, Meçite, Hazmurat, Pazari i Vjetër. Historia e hershme e qytetit është relativisht e panjohur. Për shkak të afërsisë me qendrat klasike dhe helenistike: Jerma (Antigonea) dhe qyteti romak Hadrianopolis pranë fshatit Sofratikë, është menduar shpesh që vendbanimi më i hershëm në Gjirokastër është kalaja mesjetare. Por mbi këtë tezë janë hedhur dyshime pasi zbulimet brenda në kala kanë nxjerrë në dritë qeramikë në 4 faza të ndryshme banimi përpara periudhës osmane: në shekujt V – II p.e.s.; shekujt V – VII e.j.; shekujt IX- X dhe shekujt XII – XIII. Më e hershmja nga këto faza solli gjurmë të një muri të konsiderueshëm ndërtuar me blloqe, gjë që bën të mendosh që ka pasur një fortifikim të rëndësishëm të periudhës para romake në këtë anë të luginës së lumit Drino (para vitit 168 p.e.s).

Burimet historike dhe etimologjia e emrit

Për herë të parë burimet historike e përmendin qytetin me 1336, kur kronisti bizantin Johan Kantakuzeni shkruan për Argyrókastron. Nën Despotatin e Epirit, qyteti dhe rrethinat ishin nën sundimin e familjes feudale Zenebishi. Ndërsa Perandoria Osmane zgjerohej në Europë në fundin e shekullit të XIV-të, Gjirokastra ra nën ndikimin e sulltanëve dhe sundimtarët e saj u bënë vasalë të tij. Një nga Zenebishët përmendet se udhëhoqi një grup burrash nën komandën e Sulltan Bajazitit I (1389-1402), kur ky u mund nga Timurlengu i mongolëve në betejën e Ankarasë, më 1402. Më 1419 qyteti ra nën sundimin e plotë të Turqisë, ndërkohë që sipas regjistrave te taksave më 1431- 32, ai kishte 163 shtëpi.

Sipas historianit dhe studiuesit gjirokastrit Lefter Dilo, burimet historike kanë një sërë tezash. Në librin e tij “Gjirokastra nëpër shekuj”, historiani Dilo, thekson ndër të tjera: “Në libra, gazeta e revista të ndryshme, janë botuar shumë gjëra për themelimin e Gjirokastrës. Është Likofronti, poet grek, i cili në vargun 1117 shkruan se qyteti është homerik; janë të tjerë që tregojnë se është ngritur nga fisi i Argjirinëve; është Panajot Aravantinoi, historian grek, që tregon se u quajt kështu, për arsye se kalaja nga ngjyra e gurit ndriste si argjendi; ka studime enciklopedike të huaja, që tregojnë se ka marrë emërin Argjirokastër nga minierat e argjendit, që ishin përreth, një tezë kjo pa ndonjë bazë. Janë të tjerë që kanë shkruar se u ndërtua nga Gjin Bua Shpata dhe andaj mbronin tezën se duhet quajtur Gjinokastër. “Ca njerëz- shkruan eruditi Jorgji Meksi- imagjinuan Gjinon si themelonjës të qytetit, kur është e ditur se Gjin Shpata ishte të paktën 300 vjet pas themelimit të Gjirokastrës dhe ishte qeveritar jo në Gjirokastër, po në Nartë”. Është, nga ana tjetër, legjenda e Argjiro Menevizes (princesha me një gji të vetëm), e cila për të mos rënë në duart e turqve u vërvit nga maja e kalasë së qytetit dhe u bë copë -copë përmbi një shkëmb nga ana e lagjes “Cfakë”, por kjo gojëdhënë paraqitet pa baza, sepse një këngë greqisht për Argjiron tregohet në fshatrat e Dropullit duke bërë aluzion për Kastron e Sofratikës. 

Historiani i jetës dhe veprave të Gjergj Kastriotit –  Skënderbeut, Marin Barleti, që shkroi 36 vjet pas vdekjes së heroit e ka paraqitur në trajtën e vjetër origjinale emërin e Gjirokastrës, duke shkruar kështu: “Në kohën e rrethimit të Beratit prej Skënderbeut, GIROCASTRUM ndodhesh në duart e Turqëve (2). 

Nga kjo del se qyteti quhet e para jo Gjinokastër, po Gjirokastër dhe e dyta se mban veçorinë e emërit të vjetër mbasi edhe 

Gjatë sundimit turk qyteti thirrej Ergjëri, kurse edhe nga dokumenta të vjetër të shkruar del se quhej ARGJIRINI”.

Gjirokastra nën pushtimin turk

Kalaja është bërthama e jetës së Gjirokastrës. Ajo ka pasur gjithnjë para së gjithash funksion ushtarak. Megjithëse kishte banesa brenda mureve, ato ishin të paracaktuara për garnizonin dhe dinjitarët e rëndësishëm. Ndërkohë gjatë Mesjetës, qyteti u zhvillua jashtë mureve të saj. Zbulime për banime të hershme në qytet nuk ka, megjithëse, në një rezidencë episkopale që ndodhej në vendin e quajtur “Kodra”, është gjendur një kapitel i gdhendur bukur i shekullit të XIII-të. Në shekujt XVI-të dhe XVII-të, qyteti, si qendër kryesore e Sanxhakut të Shqipërisë (Sanxhak quheshin njësitë kryesore administrative turke në periudhën e hershme të Perandorisë Osmane) lulëzoi dhe, si rezultat, lagjet e tij u zgjeruan me 434 shtëpi më 1583, që shënon pothuaj dyfishim brenda një shekulli. Kjo ndodhi në radhë të parë për shkak të një lëvizjeje të përgjithshme të popullsisë nga fshati në qytet. Rritja vazhdoi edhe kur qendra rajonale administrative kaloi në Delvinë, në kohën e Sulltan Sulejmanit të Shkëlqyerit (1520-1566). 

Në nëntor të vitit 1670, udhëtari turk, Evlia Çelebiu, pas një udhëtimi nëpër Kosovë në dhjetor të vitit 1660, dhe një udhëtimi në Shqipërinë e Veriut e në Malin e Zi në shkurt të vitit 1662, filloi udhëtimin e tij të tretë dhe më të gjatë në trevat shqiptare. Kësaj radhe ai hyri në Shqipëri nga jugu. Pas një qëndrimi të shkurtër në Delvinë, Zhulat dhe Kardhiq, ai erdhi në qytetin e Gjirokastrës, turqisht Ergiri, ku u habit shumë nga zakonet e gjirokastritëve. Dhe e përshkroi kështu:

“…Qyteti i hapur është vendosur mbi 8 kodra dhe luginat nga të gjitha anët e kalasë, me shtëpi shumëkatëshe, me çati prej guri dhe të rrethuara nga kopshte dhe hardhi. Secila nga këto shtëpi të ndërtuara mire, ka një kullë. Muret rrethuese të oborreve janë të ndërtuar me një lloj graniti të bardhë, punuar nga mjeshtra gurgdhendës, sikur të ishin tulla Ankaraje prej balte. Mure të tilla kanë si të pasurit ashtu edhe të varfrit. Gurë të prerë në formë katrore nuk gjenden veçse në qytetet e Tirit dhe Manisës në Anadoll… Mënyra e ndërtimit të mureve të jashtme të shtëpive nuk ka shoqe në botë. Ato janë të gjitha 20 inç të larta, të bëra me blloqe guri ranor të kuq, thjesht të vendosura gur mbi gur, pa baltë, gëlqere apo llaç për t’i lidhur. Muret dhe shtëpitë janë qindravjeçare, që nga koha e të pafeve. Qyteti ka një klimë shumë të mirë dhe për këtë arsye, banorët kanë fizik të shëndetshëm… Gjirokastritët mbajnë zi për të afërmit e vdekur për 40-50 apo edhe 80 vjet… për këtë arsye unë e quajta Gjirokastrën “qyteti i vajtimit”. Është çudi e madhe se si vajtojcat profesioniste vajtojnë me kaq ndjenjë…”  

Gjirokastra mbeti një qendër administrative si seli e kadiut (gjykatës) dhe shumë banesa e xhami që mbijetuan deri në ditët tona datojnë në këtë periudhë. Popullsia e qytetit duket të ketë mbetur e njëjtë në shekujt XVIII-të dhe XIX-të.

Më 1811, qyteti ra në duart e Ali Pashë Tepelenës. Ai u kujdes që të kryheshin punime të reja fortifikuese në kala, si dhe të ndërtohej një ujësjellës 12 km i gjatë, që merrte ujë në malin e Sopotit. Ujësjellësi prej guri u vizatua nga piktori i famshëm britanik Eduard Lear, i cili udhëtoi mjaft nëpër këtë krahinë. Ujësjellësi u shemb më 1932, por mbi lagjen “Dunavat” ka mbetur ende një hark i tij, që njihet me emrin “Ura e Ali Pashës”. Pasi Ali Pasha u vra, qyteti vazhdoi të funksiononte si qendër administrative, qendër tregtimi e bagëtive, leshit, shajakut, prodhimeve blegtorale, të mëndafshit dhe qëndistarisë. Në viteve 1860-të, udhëtari Henry Fanshaëe Tozer vërejti se Gjirokastra ishte ” e banuar nga shqiptarët dhe grekët të cilët “gjendeshin atje”, ishin konsideruar si të huaj. Gratë gjirokastrite “vishnin një vello të bardhë apo peshqir, lidhur anembanë kokës dhe e varur poshtë nga prapa”.

 Më 1880 Kuvendi i Gjirokastrës mbështeti aktivisht kauzën e vetëvendosjes dhe rezistencës ndaj sundimit otoman. Më 1908, u hap shkolla e parë shqipe në qytet me emrin “Liria” dhe mësuesit e parë ishin Thoma Papapano, Iliaz Hoxha, Asaf Çipi, Bastri Beqiri, Safet Canole etj. Shkolla e parë shqipe u njoh zyrtarisht nga një dekret i Sulltan Reshatit, më 14 prill 1911. Kjo ishte gjithashtu periudha e krijimit të një sërë shoqatash e klubesh patriotike. Në fillimet e shekullit XX-të, Gjirokastra u bë një çështje e rëndësishme, ndërkohë që përcaktoheshin kufijtë e Shqipërisë së sotme. Për një periudhë që pasoi shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912, ajo ishte pjesë e “Republikës Autonome të Epirit” nën gjeneralin Zografos, i cili kërkonte bashkim me Greqinë, por, pas Luftës I Botërore, fuqitë e Antantës (Britania, Franca dhe Rusia) e bindën Greqinë që të tërhiqte pretendimet e saj nga kjo hapësirë me shumicë shqiptare. Kufiri i tanishëm u ratifikua më 1921. 

Gjirokastra pas Shpalljes së Pavarësisë

Më 4 Dhjetor 1912, patriotët shqiptarë e shpallën Gjirokastrën të pavarur me ngritjen e flamurit kombëtar në kala. Me shpalljen e Pavarësisë, Gjirokastra dhe gjirokastritët filluan të shikojnë nga Evropa dhe vendi evropian më i afërt dhe tërheqës është Italia, ku tregtarët fillojnë të frekuentojnë tregjet e saj dhe të rinjtë universitetet. Në këtë periudhë të rëndësishme historike, falë bashkëpunimeve me Italinë në Gjirokastër do të vijnë zhvillimet ose elementet e parë evropiane; Shoqëria “SESA” në vitin 1932 sjell për herë të parë dritën elektrike në Gjirokastër. Po në këtë periudhë fillojnë të lindin bankat e para si Banca Nazionale d’Albania e Banco di Napoli; ndërtohen hotelet e para Hotel “Royal” dhe Hotel “Savoia” si dhe fillon të funksionojë aeroporti me fluturime ditore për në Tiranë dhe qytete të tjera. Shoqëria “SATA” do të lidhë me linja ditore autobusi Gjirokastrën me Tiranën, ndërsa nga porti i Sarandës çdo ditë do të kemi tragete me portet italiane. Gjithashtu fillon ndërtimi i një sërë objektesh me një stil të ri arkitektonik si: bankat, Zigai, vilat Kokalari, Papavangjeli, Liceu etj. 

Gjatë mbretërimit të mbretit Zog (1928-1939), Gjirokastra u bë një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe ekonomike të vendit.  Në këtë periudhë, u ndërtua edhe burgu i madh në kala (në pjesën veriore). Për ndërtimin e tij u përdorën gurët e ujësjellësit të ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena. I njohur si Burgu i 7 penxhereve ka filluar të funksionojë qysh në 1 janar të vitit 1930, për gati katër dekada me radhë, duke iu shërbyer në të njëjtën mënyrë katër regjimeve të ndryshme. Pas 38 vjetësh funksionimi, në vitin 1968 një urdhër nga qeveria komuniste e asaj kohe vendosi mbylljen e më tej transferimin e tij në ish-degën e brendshme të rrethit të Gjirokastrës, pasi po në këtë vit, në kala filluan punimet për ndërtimin e Muzeut të Armëve.

Përgjatë këtyre viteve, në Gjirokastër morën hov arsimi, publicistika dhe shoqatat patriotike.  Më 5 nëntor 1923 u çel Liceu i Gjirokastrës, me drejtor francezin Victor Coutan, sot gjimnazi “Asim Zeneli”. Në vitin 1926, qyteti i Gjirokastrës si qendër prefekture kishte një lice me 136 meshkuj dhe 6 femra si dhe 30 shkolla fillore me 1353 meshkuj dhe 668 femra. 

Gazetaria dhe publicistika njohën një nga periudhat e tyre më të arta. “Drita” e Veli Hashorvës (doli në Gjirokastër 1920-1924), “Demokratia” e Xhevat Kallajxhiut (doli Gjirokastër më 28 Nëntor 1925 dhe vijoi deri më 1939), “Labëria” dhe “Ideja kombëtare” (që dolën në periudhat kur censura ndërpreu botimin e gazetës “Demokratia”), “Fletore Popullore e Politike Kombëtare”, (doli në Gjirokastër për herë të parë më 27 mars 1920-1924), “Epoka e re” e Halit Tuqit (doli më 23 prill 1939, në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në italisht), e përjavshmja “Bisedë e lirë” dhe gazeta politiko-shoqërore “Fletore popullore” e Petro M. Haritos (doli në Gjirokastër me dy dhe katër faqe më 3 nëntor 1923), “Neoshqiptarizma”, dhe “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit, “Liceisti”, e shumë gazeta të tjera lokale që dolën në Delvinë, Përmet, Labëri, Libohovë, Himarë e gjetkë. Këto janë dëshmitë e para të një gazetarie ndryshe nga tradita e deriatëhershme romantike dhe e mitizuar e Rilindjes Kombëtare.

Gjirokastra gjatë Luftës së Dytë Botërore

Gjatë Luftës së Dytë Botërore qyteti i Gjirokastrës dhe rrethina e tij u kthyen në arenë të luftimeve. Fillimisht në prill 1939 territori i Gjirokastrës u pushtua nga forcat e ushtrisë fashiste italiane. Në këtë rajon u kryen luftime të përgjakshme, që nisën në tetor të vitit 1940 mes forcave të ushtrisë italiane dhe greke. Fronti i luftimeve dhe zotërimi i qytetit prej tyre u këmbye disa herë. Banorët e qytetit dhe rrethinave të Gjirokastrës u përfshinë qysh në muajt e parë në rezistencën antifashiste dhe u lidhën ngushtë me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Shumë djem dhe vajza mbushën radhët e formacioneve luftarake të Ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe të forcave nacionaliste. Formacionet e para luftarake të organizuara dhe udhëhequra nga Partia Komuniste Shqiptare, të cilat nisën veprime ushtarake kundër pushtuesve fashistë italianë dhe gjermanë ishin çetat partizane, Çeta e Kurveleshit, Çeta e Rinisë në Stegopul, Çeta “Koto Hoxhi” etj. Ndërkohë që këto çeta me zgjerimin e radhëve u organizuan në batalione. Në qarkun e Gjirokastrës u formuan disa batalione territoriale partizanë dhe disa më të të organizuar si “Asim Zeneli”, “Misto Mame”, “Thanas Ziko” etj.

Katër nga njësitë më të mëdha të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, janë formuar dhe kanë kanë kryer luftime në territorin e qarkut të Gjirokastrës, Brigada e 6-Sulmuese, formuar në 20.01.1944, Brigada e 8-Sulmuese u themelua në 25.04.1944, Brigada 14-Sulmuese në 20.08.1944 dhe Brigada e 18-Sulmuese në 30.08.1944. Njësitë e UNÇ kryen luftime në të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Qyteti u çlirua pas dy ditë luftimesh në mëngjesin e 18 shtatorit të vitit 1944. 

Gjirokastra në vitet e komunizmit

Vitet e komunizmit shënuan përpjekje për një industrializim në shkallë të gjerë, por edhe përpjekje të mëdha për të mbrojtur trashëgiminë kulturore unikale të qytetit. Vitet e komunizmit shënuan përpjekje për një industrializim në shkallë të gjerë, por edhe përpjekje të mëdha për të mbrojtur trashëgiminë kulturore unikale të qytetit. Rënia e komunizmit në fund të vitit 1990, e gjeti ekonominë e Gjirokastrës tashmë në rënie të shpejtë. Për të mbajtur punësim të plotë të popullsisë, komunistët kishin mbingarkuar me forcë pune përtej nevojave komplekset industriale të vjetëruara dhe jo efiçente. Kështu që rënia e sistemit komunizmit, shkaktoi humbjen katastrofike të mijëra vendeve të punës. Me mijëra vetë emigruan ose u drejtuan në Tiranë në kërkim të punës. Trazirat që pasuan rënien e komunizmit shënuan edhe grabitje në Muzeun Kombëtar të Armëve. Statuja e madhe e Enver Hoxhës u rrëzua.

Gjirokastra qëndra më e madhe administrative e rajonit jugor.

Gjirokastra si qytet është qendra më të rëndësishme administrative, kulturore dhe ekonomike e rajonit jugor të Shqipërisë. Qyteti i Gjirokastrës është qendër e bashkisë, rrethit, qarkut dhe prefekturës me të njëjtin emër. Në këtë qytet funksionojnë disa institucione, agjensi dhe drejtori rajonale, si spitali rajonal “Omer Nishani”, Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës, Drejtoria rajonale e Bujqësisë dhe Ushqimit, Agjensia e Mbrojtjes së Mjedisit, Drejtoria Rajonale e Arsimit, etj.

Në qytetin e Gjirokastrës prej më shumë se 40 vjetësh funksionon institucioni më i madh arsimor-akademik,  Universiteti Publik “Eqrem Çabej” me 18 degë dhe programe mësimore 

Pranë Gjirokastrës ndodhet Pika Kuftirare dhe Doganore e Kakavies, që është pika kufitare me fluksin më të madh udhëtarësh dhe mallrash mes Shqipërisë dhe Greqisë. Gjirokastra si rreth përveç të qenit qendër administrative e rajonit, këtu kanë prezencën e tyre kompanitë më të njohura prodhuese dhe tregtare të vendit si: Glina, Fresh Kompani, Elka, Uji i Ftohtë Tepelenë, Harri Lena Grup, Feruni, SAM 0-13 Baby Clothes etj. Është gjithashtu edhe qendra më e madhe bankare në jug të Shqipërisë, ku kanë selinë e tyre: Banka e Shqipërisë, Banka Kombëtare Tregtare, Raiffaisen Bank, Intesa SanPaolo Bank, ABI-Bank, Alpha Bank, Tirana Bank, NBG Bank, Emporiki Bank, UNION BANK, Banka Popullore.

Comments are closed.

Close Search Window