Një makinë teknologjike me standarde të larta i shtohet flotës së automjeteve për pastrimin e mbetjeve urbane në Gjirokastër. Bashkë me dhjetra kosha ky është një donacion bujar i qeverisë japoneze. Me ambasdorin z. Takada Mitsuyuki, nënshkruam marrëveshjen në Tiranë për të finalizuar këtë donacion në fillim të vitit 2022. Investimi me vlerë rreth 82 mijë euro është një kontribut i çmueshëm për të cilin unë i jam shumë mirënjohës ambasadorit dhe qeverisë japoneze. Jo të gjitha nevojat mund t’i financojmë me buxhetin tonë apo grantet që jep qeveria, prandaj përgjatë këtyre dy viteve në krye të Bashkisë Gjirokastër, kam bërë të gjitha përpjekjet për financime nga projekte të ndryshme ndërkombëtare. Dhe në fakt ia kemi dalë mbanë të sigurojmë mbështetje për disa investime. Shumë më shumë presim të bëjmë duke shfrytëzuar çdo program e asistencë të huaj për qeverisjen lokale.