Aktualitet|

“Nuk ka Shqipëria as bota e tërë
O pikë e floririt mbi Malin e Gjërë
Sot me zërin tim mblidhen mijëra zëra
Po the Gjirokastra i ke thënë të tëra…”
Vargje të tilla emblematike për këngën himn të Gjirokastrës nuk mund t’i shkruante kurrsesi kaq bukur asnjë poet tjetër veç Arben Dukës. Jo vetëm sepse ishte bir i kësaj ane, por mbi të gjitha ai gëzonte një mjeshtëri të pashoq për të gdhendur fjalët.  Njësoj si mjeshtrat që kanë gdhendur gurët e rrugëve të kalldrëmta të Gjirokastrës, Arben Duka ka gdhendur fjalët në sa e sa poezi dhe tekste këngësh. Askush më shumë se ai nuk pasuroi kaq shumë polifoninë shqiptare dhe këngën popullore me mijëra tekste, që do të jetojnë pafundësisht si një pasuri e përbashkët e kombit tonë. E përveç kësaj, Arben Duka diti të qesëndiste dhe shpotiste në mënyrë brilante realitetin dhe jetën publike si rrallë kush përmes poezive të tij satirike. Unë nuk e kam njohur personalisht dhe kjo mbase më ndihmon të mos bie në kurthin e zakonit të pashpjegueshëm se duhen thënë ca fjalë të mira për njerëzit që ndahen nga kjo botë. Por prapë e kam të vështirë t’i gjej edhe ato të uruara fjalë për një mjeshtër të madh të fjalës, për një poet me penë magjike si Arben Duka. E sado të përpiqem druhem se mos gaboj. Nuk gdhend dot fjalë si ai. Po i mbyll këto radhë me një FALEMINDERIT dhe LAMTUMIRË për gjirokastritin brilant Arben Duka, që me ikjen e tij fizike, krijon një zbrazëti aq të madhe sa një Zot e di kush do ta mbushë. E në ndodhtë ndonjëherë, prapë si ai zor se do të ketë të dytë. Të qoftë dhéu i lehtë, Arben!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close Search Window