Edicioni i 3-të, i Panairit Kult-Art gjallëroi Gjirokastrën, duke promovuar vlerat e traditës dhe kulturës. Në Ditët e Trashëgimisë, qyteti i gurtë u shndërrua në qendër kombëtare për prezantimin e trashëgimisë, kulturës dhe kulinarisë. Bashkëpunim i Bashkisë Gjirokastër me Ministrinë e Kulturës, TID Gjirokastra,Fondacionin Shqiptaro –Amerikan për Zhvillim dhe Slowfood Gjirokastra përgjatë 4 ditëve të organizimit, panairi prezantoi një program të larmishëm aktivitetesh, duke promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe tërhequr interesimin e turistëve vendas dhe të huaj. Pjesë e Panairit Kult-Art ishin prezantimi i punimeve karakteristike të 60 artizanëve, aktivitetet kulturore, koncertet e grupeve dhe ansambleve popullore nga zona të ndryshme të vendit dhe Kosova, promovimi i kulinarisë tradicionale, etj. Në këtë stinë vjeshte, ndërsa Gjirokastra vazhdon të mirëpresë turistë të shumtë, organizimi i Panairit Kult-Art ndikoi drejtpërdrejtë në promovimin e trashëgimisë kulturore, artizanatit, kulinarisë dhe zhvillimin e turizmit.