Edicioni i 7-të i Festivalit “Divani lunxhot” mblodhi sërish në fshatin Dhoksat, artistët popullorë nga zona të ndryshme të vendit. Në skenën e tij, interpretuan 7 grupe dhe ansamble foklorike dhe rreth 100 këngëtarë dhe vallëtarë popullorë. Artdashësit, jo vetëm banorë të zonës por edhe turistë, ndoqën plot interes folklorin e pasur të zonave të Gjirokastrës, Lunxhërisë, Tepelenës, Delvinës. Kolonjës. Livadhjasë, etj.
Krahas krijimtarisë folklorike, vlerë e shtuar e këtij festivali ishte edhe prezantimi i veshjeve dhe kostumografisë popullore, të zonave të ndryshme të vendit. Tashmë Festivali “Divani lunxhot”, organizim i Bashkisë Gjirokastër, është kthyer në traditë të përvitshme, duke gjallëruar çdo verë zonën e Lunxhërisë.