Bashkia Gjirokastër po përgatit Planin Vendor të Veprimit për Barazinë Gjinore 2022 – 2024, një dokument i rëndësishëm për përparimin drejt barazisë gjinore dhe plotësimin e angazhimit publik të ndërmarrë nëpërmjet nënshkrimit të Kartës Evropiane për Barazi të grave dhe burrave në jetën vendore.
Bashkia Gjirokastër e ka nënshkruar Kartën Evropiane për Barazi, të përgatitur nga Këshilli i Bashkive dhe Rajoneve të Evropës (CEMR) në vitin 2016 dhe është bashkia e parë në vend që e kanë nënshkruar Kartën Evopiane për Barazi.
Planit Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2022 – 2024 po përgatitet me një metodologji gjithëpërfshirëse, duke filluar nga: analiza dhe përshkrimi i situatës, përcaktimi i fushave kryesore të ndërhyrjes, konsultimet paraprake brenda bashkisë, përgatitja e draft dokumentit, si dhe konsultime me palët e interesuara dhe grupet e interesit, në përfundim të të cilave do të bëhet edhe kostimi i dokumentit, për ta përcjellë më pas për miratim në Këshillin Bashkiak.
Deri tani janë organizuar dy konsultime, përkatësisht në 20 shtator 2021 dhe një konsultim në datën 25 mars 2022, ku u përfshinë rreth 45 pjesëmarrëse e pjesëmarrës (30 gra dhe 15 burra). Dokumenti do të qëndrojë i hapur për komente dhe konsultim publlik deri në datën që do caktohet.
I gjithë procesi i përgatitjes së Planit Vendor të Veprimit 2022 – 2024, po mbështetet nga UN Women Shqipëri në kuadër të Projektit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Bashkimi Evropian për Barazinë Gjinore në Shqipëri: “Zbatimi i Kuadrit Ligjor (Acquis) të Bashkimit Evropian për Barazinë Gjinore” (EU4GE), që po zbatohet nga UN Women dhe UNFPA dhe financohet nga Bashkimi Evropian, përmes Fondit të Përshpejtimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.