Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Bashkia e Gjirokastrës kufizohet në veri me Bashkinë Tepelenë, në lindje me Bashkinë Libohovë, në jug me bashkinë Dropull dhe në perëndim me bashkitë Himarë dhe Delvinë. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Gjirokastrës.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia ka një popullsi prej 25.301 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil ajo numëron 52.054 banorë. Bashkia shtrihet në një sipërfaqe prej 469.25 km 2, me një densitet prej 53.91 banorë/km 2 sipas Censusit 2011 dhe 110.93 banorë sipas Regjistrit Civil.

Kjo bashki përbëhet nga 7 Njësi Administrative, të cilat janë: Gjirokastra, Cepo, Lazarat, Picar, Lunxhëri, Odrie dhe Antigone. Të gjitha Njësitë Administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Gjirokastër dhe e qarkut Gjirokastër. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 38 fshatra.

Njësitë Administrative të Bashkisë Gjirokastër

Qyteti i Gjirokastrës është i vendosur në faqen e Malit të Gjerë, në shpatet verilindore të tij dhe në krahun e majtë të luginës së lumit Drino. Nga veriu qyteti kufizohet me fshatin Mashkullorë, nga jugu me Lazaratin, nga lindja me lumin Drino dhe me fshatrat e Lunxhërisë dhe nga perëndimi me Malin e Gjerë.

Prejardhja e emrit të Gjirokastrës ka një shpjegim mitik dhe dy të tjerë me natyrë më historike. Sipas legjendës, gjatë rrethimit përfundimtar të qytetit nga turqit, Princesha Argjiro, motra e zotit të qytetit u hodh nga muret e kalasë bashkë me djalin e saj për të mos rënë e gjallë në duart e armikut. Që këtu rrodhi edhe emri “kalaja e Argjirosë”. (Por kjo duket e pamundur mbasi emri i qytetit përmendet që në kohën e Bizantit, pra para pushtimit osman). Sipas një shpjegimi tjetër më pak poetik, qyteti e ka marrë emrin sipas fjalës greke argjend, Argyrókastron, që lidhet me ngjyrën e përhime të mureve, rrugëve dhe çative prej guri, të cilat vezullojnë si argjend kur lagen nga shiu. Një shpjegim tjetër lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët. Për herë të parë emri i Gjirokastrës përmendet në shekullin XIII. Fillimet e qytetit të Gjirokastrës sipas studiuesit Apollon Baçe mendohet të jenë në shek. XIII-të, pas rënies së Hadrianopolit. Kështjella e Gjirokastrës mendohet të jetë filluar nga prijësi shqiptar Gjin Bue Shpata, i cili i dha dhe emrin qytetit, Gjinokastër.

Qyteti i sotëm i Gjirokastrës përfshin Qytetin e Vjetër, me kalanë (bërthama e parë e vendbanimit) dhe lagjet e tipit osman, ndërtuar mbi kreshta, që vijnë duke u larguar nga kalaja deri në tabanin e luginës, ku ndodhen ndërtimet bashkëkohore dhe kompleksi universitar.

Lunxhëri ish- komunë, prej qershorit 2015 Njësi Administrative e Bashkisë Gjirokastër. Sipas Census 2011 popullsia është 1941 banorë, të vendosur në 10 fshatra: Qestorat, Dhoksat, Këllëz, Mingul, Nokovë, Erind, Gjat, Kakoz, Karjan dhe Valare.

Antigone, ish-komunë, prej qershorit 2015 Njësi Administrative e Bashkisë Gjirokastër. Sipas Census 2011, popullsia është 998 banorë, të vendosur në 6 fshatra: Asim Zeneli, Arshi Lengo, Krinë, Tranoshishtë dhe Saraqinishtë.

Cepo, ish-komunë, prej qershorit 2015 Njësi Administrative e Bashkisë Gjirokastër. Sipas Census 2011, popullsia është 1,727 banorë, të vendosur në 11 fshatra: Fushëbardhë, Zhulat, Taroninë, Mashkullorë, Palokastër, Çepunë, Kodër, Plesat, Kardhiq, Prongji dhe Humelicë.

Odrie, ish-komunë, prej qershorit 2015 Njësi Administrative e Bashkisë Gjirokastër. Sipas Census 2011, popullsia është 433 banorë, të vendosur në 5 fshatra: Andon Poçi, Hundëkuq, Tërbuq, Labovë e Madhe dhe Labovë e Vogël.

Lazarat , ish- komunë, ish-komunë, prej qershorit 2015 Njësi Administrative e Bashkisë Gjirokastër. Sipas Census 2011, popullsia është 2,801 banorë, të vendosur në dy fshatra: Lazarat dhe Kordhocë.

Picar, ish- komunë, ish-komunë, prej qershorit 2015 Njësi Administrative e Bashkisë Gjirokastër. Sipas Census 2011, popullsia 937 banorë, të vendosur në 5 fshatra: Picar, Shtëpëz, Kolonjë, Golem dhe Kaparjel.

Ekonomia

Burimet kryesore të ekonomisë urbane në Gjirokastër janë turizmi dhe manifaktura me material porosities. Gjatë viteve të fundit, për shkak të statusit si pasuri e UNESCO-s, turizmi ka njohur rritje të konsiderueshme. Gjirokastra është gjithashtu qytet me aktivitet të konsiderueshëm tregtar, veçanërisht sa i përket importeve nga Greqia.

Zona rurale që iu bashkëngjit bashkisë së vjetër është e njohur për blegtorinë e imtë dhe për produktet blegtorale shumë cilësore.

Gjirokastra është zona më e prekur në Shqipëri nga emigrimi masiv i popullsisë përgjatë dy dekadave të fundit, gjë që ka sjellë edhe plakjen e shpejtë të popullsisë. Sipas regjistrimit të popullsisë 2011, qarku i Gjirokastrës ka moshën mesatare më të lartë në Shqipëri me gati 40 vjeç.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/bashkiagj/public_html/wp-includes/functions.php on line 3735